25 misionarë të shquar të letrave shqipe përshkruan nga Elbasani një tur përkujtimor në trevat shqipfolëse të Rajonit frymëzuar në 113-Vjetorin e Kongresit tw Elbasanit. Turi “Mision i mundur, kujtesë për vazhdimësi”, u ndal edhe në Elbasan, ku nën kujdesin e kryebashkiakut Llatja mundësoi këtë tur, në kujtesë të “Kongresi i Shkollave Shqipe”, 2 deri 10 shtator 1909 mbajtur në qytetin e Elbasanit, në godinën historike të shkollës së Kalasë, për të vijuar më pas drejt Strugës. 25 misionarët janë pritur edhe nga kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja i cili shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për misionarët, duke nderuar katër prej tyre me certifikatën Mirënjohja e Qytetit.
“Nuk është aktiviteti i pare që ne bëjmë bashkë, vlen të përmendim aktivitetin në Asti të Italisë ku është modeli më i mirë i ngritjes së një qendre kulturore, dhe ajo që ishte domethënëse, ishte se shqiptarët ishin bërë të gjithë bashkë. Si kryetar bashkie vazhdoj t’i jap prioritet traditës që kemi në qytet, kulturës, arsimit, sportit. Bashkia jonë e ka trefish më të lartë buxhetin se bashkitë e tjera vetëm për kulturën”, tha kryebashkiaku. Në nder të këtij eventi që e ka zanafillën në djepin e dhaskalëve, të artit, kulturës dhe arsimit, kryebashkiaku vlerësoi me certifikatë “Mirënjohja e Qytetit” katër misionarë, Flora Brovina, me profesion mjeke dhe poete, e njohur si gruaja e lirisë universale, një zë i fuqishëm që ngriti gratë në demostrata, në mbarë globin. Puntorie Muco Ziba nga Struga, mësuese, poete, shkrimtare, veprimtare e njohur në të gjitha hapësirat shqiptare. Marie Lasgush Poradeci, vajza e poetit legjendë Lasgush Poradeci. Studiuese shkencore dhe letrare e jetës dhe veprave të Lasgush Poradecit, si edhe Liliana Cinci, ikona e “Vallja Shqiptare”, Nderi i Kombit, emër i përveçëm që i jep emër Shqipërisë në të gjitha shtetet e botës. Misionaret në këtë tur kanë pasur shoqëruese nderi edhe nderin e kombit, ikonën e kinematografisë Margarita Xhepa.