Monday , October 3 2022

Elbasan/ Pezullohen nga detyra dy nënkomisarë, ja akuzat që rëndojnë mbi ta

Drejtoria Rajonale e AMP Elbasan ka ekzekutuar vendimin penal dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, datë 11.09.2022, për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” në ngarkim të punonjësve të policisë:

– Nënkomisar U.SH, 37 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan;

– Nënkomisare S.K., 45 vjeçe, me detyrë Specialiste pranë Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan.

Ata janë pezulluar në kuadër të procedimit penal nr.1200, viti 2022, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ndjekur nga AMP Elbasan nën drejtimin e kësaj Prokurorie. Dyshohet se në shpërdorim të detyrës, këta punonjës policie nuk kanë zbatuar procedurat standarde për ndalimin e një shtetasi në kërkim policor.

Ata kanë arrestuar nje person që ishte shpallur në kërkim dhe më pas e kanë lënë të lirë pa marrë më parë konfirmimin nga organet kompetente.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.