Vazhdojnë investimet në Elbasan/ Llatja: Rrjete ujësjellësi në çdo lagje dhe zonë informale

Urbanizimi në zonat informale në Bashkinë e Elbasanit vijon. Në një kohë rekord, është bërë i mundur shtrimi i rrjetit të ri të ujësjellësit për 50 banorë të rrugës “Tasim Luniku” në lagjen “ Dyli Haxhire”. 15 familjet e kësaj lagjeje kanë që pas viteve 90 që jetonin në një informalitet sa i përket ujit të pijshëm.

 Një kërkesë e banorëve të kësaj lagjeje, si edhe vetë inisiativa e kryetarit të Bashkisë, bëri që tashmë rrjeti i ri i ujësjellësit të jetë gati, duke mundësuar kështu ujin për banorët e zonës. Gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve, kryebashkiaku i Elbasanit z. Gledian Llatja, edhe një herë e vuri theksin tek problematikat që kanë zonat informale në Elbasan të mbartura pas viteve 90. Duke marrë falenderimet e shumta të banorëve të kësaj lagjeje për përgjigjen në kohë rekord për kërkesën e tyre, kryashkiaku i Elbasanit pohoi se “ ne kemi shumë kohë që merremi me problemet e urbanistikës, kemi vizionin dhe modelin që të zgjidhmin problematikat që kemi sa i përket infrastrukturës. Kur bëhet bashkë  edhe komuniteti si edhe mirëkuptimi, kjo është gjëja më e mirë, pasi ne jemi zgjedhur për popullin”.

Edhe pse me problematika në infrastrukturë, në zonat informale, por edhe në qytet, kryebashkiaku Gledian Llatja, premton se Bashkia që ai drejton tashmë ka hyrë në një tjetër etapë, atë të investimeve.

 “I kam në prioritet kryesisht zonat informale, dhe do të vazhdoj të kryej ndërhyrje në infrastrukturë”, i premtoi z. Llatja banorëve të cilët shprehën besimin tek vizioni i kryebashkiakut.

Vetëm pak ditë më parë u realizua prova e parë e linjës së re të tubacionit të ujësjellësit nga Krasta deri në Fushë Mbret, duke shmangur një pjesë të madhe të humbjeve në rrjet.