Elbasan: Lancohet Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2022 – 2024                            

Eshtë lancuar në Bashkinë e Elbasanit Plani i  dytë Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2022-2024, miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja pohoi se “sot jo vetëm po kurorëzojmë mbylljen me sukses të një faze të parë të punës sonë të përbashkët, por mbi të gjitha po shënojmë hapjen e një faze të dytë dhe akoma më të rëndësishme, që ka të bëjë pikërisht me zbatimin me efektivitet të këtij plani të miratuar.

Për të pasur suksesin e dëshiruar në këtë drejtim, bashkërendimi i burimeve dhe veprimeve tona, me përgjegjshmëri e përkushtim maksimal, është domosdoshmëri.

Për të drejtat e grave dhe çështjet gjinore është folur e flitet shumë, e mund të them me bindje se ne në Elbasan kemi çfarë të tregojmë si përparime në këtë drejtim” .                      

Gratë e të rejat në Elbasan po vendosen gjithnjë e më shumë në pozicionet që meritojnë. Në Elbasan një grua drejton Prefekturën e Qarkut, dy gra Zëvendës Kryetare Bashkie, ndërsa ka  plot gra e të reja drejtuese të institucioneve të rëndësishme, profesore e pedagoge, dhe mbi të gjitha  plot vajza me energji, mençuri e dëshirë për të përparuar në sigurimin e barazisë dhe drejtësisë gjinore në shoqëri.

Pavarësisht përparimit të bërë në këtë drejtim, barazia e grave dhe burrave, të rejave dhe të rinjve, vajzave e djemve në jetën e përditshme ende nuk është bërë realitet. ” Ende vazhdojnë të ekzistojnë pabarazitë shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore në mbarë vendin, e shpesh këto ndjehen më të theksuara në grupe të caktuara të komunitetit të bashkisë tonë, që jo në pak raste pësojnë diskriminim të shumëfishtë. Barazia e grave dhe burrave, të rejave dhe të rinjve, vajzave e djemve, përbën një të drejtë themelore, përgjegjësinë për zbatimin e të cilës në komunitetin tonë, e ka së pari institucioni që unë përfaqësoj, por edhe të gjitha institucionet e tjera vendore.

Të gjithë së bashku duhet të sigurojmë, mbi baza të barazisë, përfshirjen, përfaqësimin dhe angazhimin e grave e të rejave me prejardhje dhe nga grupmosha të ndryshme, në të gjitha sferat e vendimmarrjes politike dhe publike. Në rrugën për përparimin drejt fuqizimit të grave dhe barazisë gjinore, koordinimi i veprimeve në nivel vendor me prioritetet kombëtare e ndërkombëtare, sidomos ato në linjë me direktivat përkatëse të BE-së, janë domosdoshmëri, veçanërisht tani që u hapën dhe negociatat me BE-në”, tha Llatja.

Në këtë Plan të Dytë Vendor të Veprimit për Barazinë Gjinore 2022-2024, Bashkia i ka  kushtuar rëndësi veprimeve që përmirësojnë ndjeshëm angazhimin e grave, të rejave e vajzave nga të gjithë grupet në shoqëri, në të gjitha sferat e jetës. Janë planifikuar një sërë veprimesh që synojnë edukimin e një brezi të ri të barazisë dhe ndryshimin e mendësisë që fajëson nënat nëse fëmijët nuk ecin në jetë ashtu si prindërit do dëshironin, apo që u jep meritat baballarëve nëse fëmijët janë model – se padyshim “u ngjajnë atyre”! ” Përmes investimit në prindërimin pozitiv dhe organizimin e seancave të këshillimit paramartesor, ne synojmë të ndikojmë në krijimin e familjeve të shëndetshme, si bazë për një shoqëri të emancipuar. 

Në ditët e sotme, ku zhvillimi ekonomik i një vendi kërkon padyshim përshtatjen me trende të reja, me metodologji të avancuara, digjitalizim, apo investim në ekonominë mjedisore, ne kemi menduar që me zbatimin e këtij plani të sfidojmë steriotipet gjinore në punësim, të lehtësojmë më shumë aksesin e grave e të rejave në tregun e punës, por edhe të mbështetim ruajtjen e traditës dhe ngritjen e sipërmarrjeve të grave e të rejave, që skalitin me mjeshtëri historinë aq të pasur të traditës e kulturës elbasanase, duke e sjellë me artin e punimeve me dorë, gatimeve, zejtarisë”, shtoi kryetari i Bashkisë.

Siguria në komunitet, pasja e hapësirave publike, lagjeve e rrugëve të pastra, të ndriçuara e mbi të gjitha të sigurta, ku asnjë vajzë, e re apo grua, të mos ndjehet e cënuar nga ngacmimi seksual dhe dhuna, është një nga prioritetet e Bashkisë.

Këto dhe veprime të tjera të parashikuara në këtë plan veprimi, që prekin çështje të rëndësishme të përditshmërisë, do të mbështeten dhe bëhen realitet përmes përmes zbatimit të parimeve të buxhetimit të përgjiigjshëm gjinor, këtij mjeti kaq të rëndësishëm për zbatimin e integrimit gjinor në praktikë.

Llatja shtoi se ” për zbatimin e duhur të këtij plani veprimi, ne besojmë shumë në bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të pranishme sot, por edhe në mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, siç është dhe Projekti i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara “Bashkimi Evropian për Barazinë Gjinore në Shqipëri”, që zbatohet nga UN Women dhe UNFPA dhe finanohet nga Bashkimi Evropian përmes Fondit të Përshpejtimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Ndaj dhe gjej rastin të falenderoj edhe një herë Z.  Michele Ribotta dhe përfaqësueset dhe përfaqësuesit e këtij projekti sot, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e suksesshëm mes institucioneve tona, me besimin që kjo mbështetje do të ketë vijimësi edhe në të ardhmen”.