Vijon zbatimi i planit të masave nga Policia Rrugore e Elbasanit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Janë shtuar kontrollet në të gjitha rrugët urbane dhe dytësore, për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor apo që drejtojnë mjetet, në mënyrë të parregullt.
Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë arrestuar 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, si dhe janë proceduar 9 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve të shtuara janë pezulluar 24 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkolit apo në gjendje të dehur, si dhe për shpejtësi tej normave të lejuara. Janë vendosur 1061 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, kryesisht për mospërdorim të rripit të sigurimit, për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të mjeteve, mosruajtje të distancës mes mjeteve, për parakalime të gabuara, për mospozicionim në korsinë e duhur, për drejtim të motoçikletave pa kaskë mbrojtëse, si dhe për shkelje të tjera që janë burim aksidenti.
Janë ushtruar kontrolle edhe në automjetet e transportit publik, për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që ushtrojnë këtë aktivitet, pa licencën përkatëse apo pa kryer kontrollin teknik të mjeteve.
Policia Rrugore e Elbasanit do vijojë kontrollet e pandërprera, në të gjitha akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Në këtë kuadër ftojmë të gjithë përdoruesit e rrugës që të denoncojnë në numrin 112 dhe në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, shkeljet që ndeshin në akset rrugore urbane apo dytësore, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional nga Policia.