Elbasan/ Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, 1 në kërkim një tjetër. Ja për çfarë akuzohen

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin R. L., 35 vjeç, banues në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori, si dhe po punohet për kapjen e shtetasit M. Ll., 28 vjeç, banues në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, për veprën penale “Dhuna në familje” pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. J., 36 vjeç, banues në lagjen “Luigj Gurakuqi”, Elbasan, për  veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori  për shtetasin K. R., 18 vjeç, banues në fshatin Bujaras, Elbasan, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori për shtetasin E. G., 37 vjeç, banues në lagjen “Qemal Stafa”, Elbasan, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”,  pasi dyshohet se ka thyer urdhrin e mbrojtjes të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, për motrën e tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori për shtetasin A. Zh., 49 vjeç, banues në fshatin Bërzeshtë, Prrenjas, për veprën penale “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, pasi punonjësit e Ujësjellësit kanë konstatuar lidhje të paligjshme të ujit të pijshëm që furnizonte banesën 49-vjeçarit.

Informacion shtesë-Gjatë ditës së djeshme, përballë një kantieri ndërtimi, Peqin, është gjetur e pajetë, në një kanal vaditës, dyshohet e mbytur, shtetasja M. T., 81 vjeçe. Për këtë shtetase, po gjatë ditës së djeshme, në Komisariatin e Policisë Peqin, ka kallëzuar nipi i saj, shtetasi H. T., 33 vjeç, se 81-vjeçarja ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më. Sipas deklarimeve të familjarëve kjo shtetase vuante nga probleme të shëndetit mendor.