Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e 35-vjeçares shqiptare Nevila Pjetri në Itali. E reja u vra barbarisht dhe u gjet një ditë më pas nga policia. Nevila jetonte në Alteta, një fshat i vogël në Massa, jo shumë larg shinave hekurudhore, në një vilë me një kopsht të vogël përpara.
Ajo jetonte me bashkëshortin e saj, Leonardo Marku (ata u martuan vitin e kaluar). Sipas mediave italiane, burri e mësoi tragjedinë nga policia kur i trokitën në derë mëngjesin e djeshëm.
Ajo punonte në një kamping përgjatë bregdetit, në Marina di Massa, ndërsa ai me profesion është kopshtar. Vështirë të gjesh një dallim më të madh mes rikonstruksionit të fakteve të karabinierëve të kompanisë Sarzana, që ajo ishte një prostitutë, gjithashtu e njohur dhe asaj që përshkruan burri.
“Ajo doli nga shtëpia në orën 20:00. E prita gjithë mbrëmjen, nuk e kuptova pse nuk po kthehej. Më pas mbërritën karabinierët …”, tregon ndër të tjera Leonardo zemërthyer, teksa shton më tej: “E kam dashur shumë”.
Si ndodhi ngjarja tragjike?
35-vjeçarja sipas hetimeve të policisë italiane, punonte si prostitutë në zonën e Parmigliola, provinca La Spezia në Liguria, Itali. Mbrëmjen e së shtunës, 4 qershor ajo gjendej bashkë me disa vajza e gra të tjera, kryesisht shqiptare dhe nga vende të tjera, duke pritur për klientë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga policia italiane, bazuar në dëshmitë e shoqeve, në një moment afrohet një automjet tip veturë me ngjyrë të bardhë me targa lokale italiane, ndalon dhe bën pazar për pak sekonda me 35-vjeçaren shqiptare.
Viktima pranon të hipë dhe shoqërohet nga sytë e shoqeve. Pasi kalojnë pak orë, ajo gjendet e vdekur, shumë afër vendit ku u mor nga klienti misterioz. Njëra nga shoqet e 35-vjeçares tregoi para hetuesve në vendngjarje se pa një burrë të mbante një trup njeriu që e nxori nga makina, e flaku përtokë afër një përroi dhe iku me shpejtësi që aty.
Viktima u gjet gjysmë e zhveshur, e tëra në gjak. Dyshimet janë se është qëlluar edhe me armë zjarri. Dyshohet se viktima fillimisht është dhunuar dhe më pas është vrarë me pistoletë.
Kush është Nevila Pjetri?
35-vjeçarja e vrarë ishte nga Elbasani. Në vitin 2009 ajo është ndaluar në Elbasan për prostitucion.
“Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme arrestoi në flagrancë katër shtetas, të cilët akuzohen për veprat penale “ushtrim prostitucioni” si edhe “mbajtja e ambienteve për prostitucion”. U arrestuan në flagrancë shtetasit Qemal Yzeiri, 77 vjeç, Fatmira Koçi, 43 vjeç, Nevila Pjetri, 22 vjeç, si edhe motra e saj Anila Pjetri, 25 vjeç, që të katër me banim në Elbasan. Arrestimi i tyre u bë, pasi gjatë një operacioni të kryer nga ana e policisë dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative u kapën në flagrancë duke ushtruar prostitucion në banesën e shtetasit Qemal Yzeiri. Tre shtetaset akuzohen për veprën penale “ushtrim prostitucioni”, ndërsa shtetasi Qemal Yzeiri, akuzohet për veprën penale “mbajtja e ambienteve për prostitucion”, njoftonte policia për arrestimin e saj në 2009.
Nje koment
Pingback: 3affects