Belsh, nisin gërmimet arkeologjike në termën e periudhës romake

Pranë fshatit Rrasë të bashkisë Belsh ka nisur puna për gërmimin arkeologjik të strukturave të zbuluara të një terme të periudhës romake.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur sot se pas njohjes me terrenin dhe në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me bashkinë Belsh, është angazhuar të vijojë të gjithë procesin, për të zbuluar më tej “Termën Romake” dhe për të marrë çdo informacion të paidentifikuar më parë, për këtë zonë.

“Puna ka nisur me procesin e pastrimit dhe piketimit të hapësirës ku do të kryhet gërmimi arkeologjik, në bashkëpunim me studentët e UT, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë si dhe Departamentin e Trashëgimisë Kulturore dhe Arkeologjisë”, shprehet IKTK në një postim në rrjetet sociale

Sipas IKTK, ky zbulim i veçantë do të jetë një vlerë e shtuar për zonën e Belshit, duke sjellë njohuri më të thelluara të shtresave të historisë, e gjithashtu, duke e pasuruar zonën me një vendbanim të ri arkeologjik.

Vetëm 3 km larg qytetit të Belshit në fshatin Rrasë ky vendbanim në të cilin veç rrënojave të një ndërtese romake termë e shekullit të dytë ka dhe praninë e eshtrave të lashta. Këto eshtra faktojnë se në këtë zonë ka pasur jetesë të hershme dhe qytetërim.

Terma e shekullit të dytë, është një vendpushim e banim i karvaneve të kohës dhe të tilla deri më tani në Shqipëri janë identifikuar në Butrint dhe Dyrrah, Durrësin e sotëm.