DVP Elbasan Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, pas transmetimit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, të një rasti të dyshuar korruptiv në Spitalin Rajonal të Elbasanit, referuan materialet në Prokurori, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. K., 51 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë mjek ligjor dhe F. B., 42 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë punonjës i morgut. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke marrë shuma parash për ofrimin e shërbimeve nga morgu pranë Spitalit Rajonal të Elbasanit, në kundërshtimin me procedurën standarde, që nuk parashikon pagesë për këto lloj shërbimesh.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.