U zhvillua sot në Institucionin e Prefektit të Qarkut Elbasan, në drejtimin e Prefektes Znj. Majlinda Perriu, mbledhja e Komisionit të Mbrojtjes Civile në nivel qarku me temë: “Masat tekniko organizative të marra nga Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe Degët Territoriale për parandalimin dhe përballimin e situatave emergjente që mund të krijohen nga rënia e zjarreve në pyje e kullota në sezonin Qershor-Tetor 2022”.
Në këtë takim ishin të pranishëm: Nënprefektët, shërbimi zjarrfikës Elbasan, përfaqësues të shërbimit zjarrfikës nga shtatë bashkitë e qarkut, Drejtori i IKMT, përfaqësues nga OST, AZDM, Drejtoria Vendore e Policisë, si dhe operator të tjerë të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit nga zjarret.
Diskutimet u fokusuan si më poshtë vijon:
-Analizë e situatës së zjarreve si dhe problematikat kryesore të hasura gjatë menaxhimit të vatrave të zjarreve në territorin e Qarkut të Elbasanit gjatë vitit 2021,
-U prezantuan masat e marra nga shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan për të qenë në gatishmëri të plotë gjatë sezonit të verës 2022.
Prefektja Znj. Perriu bëri thirrje për ndërgjegjësim dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që të tregohen të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm për mbrojtjen e mjedisit si dhe të sinjalizojnë në kohë organet përkatëse në raste të konstatimit të zjarreve.
Zjarrvënia dhe djegia e pyjeve konsiderohet krim mjedisor dhe zjarrvënësit do të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Gjithashtu u kërkua drejtorive përkatëse të bashkëpunojnë midis tyre për monitorimin e zonave me rrisk si dhe në veçanti Drejtorisë së Policisë iu kerkua angazhim i shtuar për monitorim përmes dronëve dhe kamerave inteligjente të hapësirave pyjore në gjithë territorin e qarkut Elbasan.