Në fshatin Gjinar në Elbasan bujtina “Shtëpizat e Gjinarit” ka çelur dyert për fundjavat, një tjetër shembull domethënës i forcës së pasionit për tokën e të parëve.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga kjo bujtinë, e ndërtuar prej atyre që kanë zgjedhur t’i investojnë kursimet e tyre në vendin e prejardhjes.
“Në fshatin e bukur të Gjinarit në Elbasan (pjesë e programit 100 fshatrat), një tjetër bujtinë, “Shtëpizat e Gjinarit”, ka çelur dyert për fundjavat mes pyllit me pishat e larta rrëzë malit Bukanik dhe liqeneve me ujërat e kristaltë rrethepërqark. Kursime emigracioni të investuara në vendlindje, të cilat prodhojnë më shumë të ardhura se sa puna e mëtejshme në emigracion”, shprehet Rama.
Agroturizmi është kthyer në një formë e shkëlqyer biznesi për të mbajtur njerëzit në fshat dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale. Interesimi për të bërë investime të tilla ka ardhur gjithnjë në rritje në zonat rurale.