5 Maji/ Llatja: Përkujtim dhe mirënjohje ndaj dëshmorëve që dhanë gjakun për lirinë e vendit

5 maji dita e dëshmorëve të rënë gjatë luftës Nacional Clirimtare por jo vetëm është kujtuar edhe në qytetin e Elbasanit, ku familjarë të dëshmorëve, veteranë, qytetarë dhe politikanë kanë kryer homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve.

 Homazhet janë kryer rreth orës 11.00  duke vendosur kurora me lule në monumentin kushtuar të rënëve për atdheun.

 Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka vlerësuar këtë ditë sa historike aq edhe me vlera, për kontributin dhe sakrificën që dëshmorët dhanë për lirinë e vendit.

“Përkujtim dhe mirënjohje ndaj atyre që kanë dhënë gjakun për lirinë e vendit. Ishin këta të rinj e të reja dhe jo vetëm të cilët u flijuan për një Shqipëri të lirë. Ndaj në këtë ditë të shenjtë, çdo shqiptar kudo ku ndodhet dhe që e do atdheun e tij duhet të nderojë dhe respektojë të rënët e kombit tonë.

Gjaku i dëshmorëve të kombit është shenjë historike e kujtesës kombëtare, ndaj dhe i nderojmë dhe respektojmë me mirënjohje të thellë. Lavdi të përjetëshme atyre që bëjnë epokë”, tha Z. Llatja.