Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi ka denoncuar shembjen e një pjese të rrugës në fshatin Zavaline të Elbasanit. Sipas Boçit mungesa e investimeve dhe e mirëmbajtjes ia ka vështirësuar jetën banorëve te kesj zone dhe askush nuk kujtohet për të. Banorët e saj të lënë në harresë, të cilët luftojnë çdo ditë me varfërinë dhe mjerimin, detyrohen të sfidojnë dhe izolimin.
Në një status në Facebook Boçi shkruan:
“Zavalina jeton jetën e saj larg qytetërimit të inceneratorëve, mes maleve e ajrit të pastër.
Megjithatë askush nuk kujtohet për të.
As pushteti qendror e as ai lokal.
Banorët e saj (aq sa kanë ngelur) të lënë në harresë, të cilët luftojnë çdo ditë me varfërinë dhe mjerimin, detyrohen të sfidojnë dhe izolimin.
Rrugën e premtuar me fjalë, dhjetra herë në fushata, e ka marrë era.
Ndërsa këtë ekzistuesen me gropa e sopa, po e grryen akoma më keq mungesa e mirëmbajtjes dhe indiferentizmi bashkiak.
Megjithëse banorët janë paguesit më të rregullt të taksave e tarifave, Bashkia Elbasan as nuk kujtohet që atje ka njerëz dhe nuk hedh qoftë një lopatë zhavor.
Me ironi banorët shkruajnë që dhe “për një gur” do presim që ata të bëjnë tender për ta lëvizur.
E bukur është Zavalina, por jetën atje ia kanë nxirë banorëve”.