Elbasan/ Arrestohen 3 persona për vepra të ndryshme penale. Policia del me deklaratën

Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin G. F., 58 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtje.

Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin K. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Mollas, Cërrik, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi është kapur në flagrancë, duke vjedhur në stallën e bagëtive, në pronësi të shtetases D. Gj. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e 22-vjeçarit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi municioni luftarak.

Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Gramsh proceduan penalisht shtetasin Z. G., 45 vjeç, banues në fshatin Qarret, Gramsh, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, pasi u kap duke transportuar me mjetin tip “Benz”, 4 m3 dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës. Në cilësinë e provës materiale u bllokuan mjeti dhe drutë e zjarrit. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.