Prefektja e Qarkut Elbasan Znj. Majlinda Perriu ishte sot në takimin e alternuar të zhvilluar nga bashkia Gramsh, për nënshkrimin e marrëveshjes së: “Mekanizmit të Koordinimit dhe Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje”, si dhe për treguesit gjinor në institucionet e Qarkut Elbasan, në kuadër të projektit “Akses i përmirësuar në shërbimet e emergjencës për vajzat dhe gratë të mbijetuara nga dhuna në Rajonin e Elbasanit”.
Në fjalën e saj Prefektja Znj. Perriu falenderoi anëtarët dhe pjesmarrësit për punën e bërë dhe garantoi mbështetjen e Institucionit të Prefektit të Qarkut Elbasan në vazhdimin e punës së përbashkët në identifikimin, parandalimin dhe menaxhimin me sukses të rasteve të dhunës në familje, me bazë gjinore etj, fenomene të cilat kërcënojnë komunitetin.
U diskutua gjithashtu mbi situatën aktuale dhe masat që duhet të merren për përmirësimin sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
Në zbatim të VKM Nr. 327, datë 2.6.2021 “Për mekanizmin e bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, si dhe procedimin e tij për mbështetjen e rehabilitimin e viktimave të dhunës”, së bashku me anëtarët e mekanizmit u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit.