Interesimi marramendës për “Big Brother VIP” e ka shndërruar në terrenin më të mirë për klikime e si rrjedhojë, për lajme të rreme. Me qindra informacione të pasakta kanë qarkulluar këta muaj duke çuar nivelin e dezinformimit në nivele të paprecedenta në historinë e medias online.
Nga portale të ndryshme, herë me e herë pa burime, u raportua mes tjerash prej javësh që çmimin e madh do t’ia japë Donaldit me helikopter Edi Rama në Vlorë. Një gjë e tillë nuk ndodhi e as nuk do të mund të ndodhte. “Big Brother VIP” nuk duket të ketë qenë në axhendën e Kryeministrit.
Teksa të gjithë e prisnin të shkonte në Vlorë me helikopter, ai ka qenë në Mynih të Gjermanisë, në konferencën e sigurisë. Në Gjermani, ai ka udhëtuar direkt nga Amerika ku zhvilloi një sërë takimesh. Pra, shkurt e shqip, shumë zhurmë për asgjë!