Elbasan/ Drogë e alkool në burgje, si organizonin festa të burgosurit në prani të policëve

Gazetarja Klodiana Lala, ka siguruar dosjen e arrestimeve në Elbasan. Dosja përmban dëshmi e fakte se si të dënuarit në burgun e Korçës vendosnin baste sportive nga ambientet e burgut dhe realizonin festa me alkool e drogë. Nga ky megaopracion, në pranga janë vendosur 11 gardianë burgu. Në dosje, thuhet se i burgosuri Leo Osmani, ka organizuar një festë në burgun e Korçës, në të cilin vuante dënimin. Në atë festë, janë përdorur alkool dhe lëndë narkotike, të future në qeli nga Osmani.

Nga ana tjetër, policët përgjegjës në atë sektor, nuk kanë bërë asgjë për t’i parandaluar, edhe pse kanë konstatuar nisjen e kësaj feste. Sendet e paligjshme, përfshirë edhe ato për zhvillimin e basteve sportive, i ka futur në burg Aleksandër Alibashi. Ai ka pasur ndihmën e punonjësit të policisë së burgjeve Ilia Beshollari. Në dosje theksohet se, të dënuarit Aleksandër Llanaj, Delin Hajdari dhe Leo Osmani kanë kontaktuar me Aleksandër Alibashin, për të vënë baste sportive.

Alibashi, i vendoste këto baste në lokalin në pronësi të tij në qytetin e Vlorës. Personi që Llanaj komunikonte më shpesh, ishte e dashura e tij. Ajo kujdesej për të vendosur bastet sportive të të dashurit, por edhe shokëve të tij të burgut. Komunikimi sipas dosjes hetimore, bëhej nëpërmjet numrave telefonikë të ndryshëm.

Vlen të përmendet se gjatë operacionit janë kontrolluar 38 dhoma të të dënuarve ‘VIP’ në të tre burgjet, ndërsa janë gjetur nga efektivët 1 orë e dyshuar si telefon celualar; një xhezve e madhe ku brenda saj ishin dy qese plastike transparente me pluhur të bardhë, dyshohet kokainë, disa Playstation 3, të cilat dyshohet që mund të përdoren si pajisje komunikimi etj.

Të gjitha materialet e sekuestruara janë dorëzuar për vijimin e veprimeve hetimore oficerëve të SHKBB dhe Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Elbasan.