Kjo ngrehinë mund të ngjajë më shumë me një stallë, por aty banojnë një çift të moshuarish. Me mure të çara e pa minimumin e kushteve jetike, Skënder e Lefterije Çalladej, i ngrysin netët me frikën se banesa do t’u shembet, e do t’i zërë brenda.
Kjo ka shërbyer si streha e tyre për dekada, por gjendja u përkeqësua gjatë rrëshqitjeve të vazhdueshme të tokës. Goditjen e fundit, kësaj banese në fshatin Trepsenisht të Elbasanit, ia dha tërmeti i 26 nëntorit 2019. Shtëpia u shpall e pabanueshme, por çifti i të moshuarve nuk kishte ku të përplasej.
“Nga e keqja e madhe kemi ardhur prapë”- u shpreh i moshuari.
Që nga viti 2017, Skënderi dhe Lefterija të moshës 67-veçare, janë detyruar të jetojnë në një çadër që ua siguroi bashkia. “Ne morëm një çadër që na e dha bashkia , prefektura dhe jetuam aty gjatë gjithë kohës, por tani është shumë ftohtë dhe u futëm te shtëpitë e vjetra.”
E vetmja mundësi të ardhurash, është pensioni i invaliditetit, ndërsa vajza e tyre jeton tek të afërmit. Dëshira e vetme e dy të moshurave është një strehë normale.
“Dua vetëm strehim, shteti të na ndihmoj.”
Për rastin, Report Tv u interesua në Bashkinë dhe prefekturën e Elbasanit, nga ku u informua se fondet për ndërtimin e një banese të re nuk janë akorduar ende. Kjo për shkak të mungesës së lejes së ndërtimi, pasi toka në zonë, është e rrëshqitshme.
E derisa ky ngërç të zgjidhet, çifti Çalladej, do të vazhdojë të banojë në këtë gërmadhë, me frikën se të nesërmen nuk do të gdhihen më./Shqiptarja.com