Kriza e Ukrainës duket se po zhvendoset në Mesdhe, teksa një flotë anijesh ruse i është afruar aeroplanmbajtëses amerikane “Harry Truman” e vendosur në ujërat italiane dhe ato shqiptare. Anijet ruse gati kanë filluar të kalonin kanalin sicilian dhe në total janë gjashtë anije, të afta të zbarkojnë tanke dhe këmbësori në bregdet.
Anijet janë nisur më 15 janar dhe i gjithë lundrimi i tyre është ndjekur nga marina e NATO-s, të cilët ndërroheshin për të mos humbur nga sytë kontingjentin ushtarak. Ato e kanë parë me shqetësim afërsinë ekstreme të dislokimit rus dhe forcave detare amerikane, të cilat po kryejnë stërvitje në brigjet e Kalabrisë dhe ujërat shqiptare.
Nga ana e shtabit Mbrojtës theksohet se “Formacioni i anijeve është duke kaluar transit në ujërat ndërkombëtare dhe nuk cenon sovranitetin e shteteve bregdetare. NATO ka ndjekur lundrimin e grupit detar që nga nisja e tij, e cila u zhvillua në mes të janarit nga portet e Severomorsk (Flota Veriore) dhe Baltijsk (Flota Baltike), dhe do të vazhdojë të monitorojë transitin e tij. As forcat e NATO-s dhe as formacioni detar rus s‘kanë ndërmarrë veprime që mund të përshkallëzojë situatën”, shkruajnë mediat italiane.
Rreth 2 javë më parë kryeministri Edi Rama vizitoi nga afër aeroplanmbajtësen “Harry Truman” e cila po lundron në ujërat shqiptare dhe ato italiane, në kuadër të stërvitjes amerikane në Mesdhe.
Aeroplanmbajtësja “Harry Truman”, ndodhet prej pak kohësh në ujërat e detit Mesdhe. Fillimisht ajo duhet të kalonte në Lindjen e Mesme përmes kanalit të Suezit, por plani ndryshoi për shkak të tensionit në rritje në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës. Ajo shoqërohet nga një numër i madh të anijesh dhe avionësh.
Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar ndjeshëm prezencën e tyre ushtarake në Evropë dhe Mesdhe kohët e fundit. Vetëm pak ditë më parë Forcat ushtarake amerikane që operojnë në Evropë njoftuan se do të ngrenë shtabin e tyre pararojë në Shqipëri, si një bazë për operacionet speciale.