Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Procedohen penalisht 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Peqin arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 34 vjeç, banues në Peqin, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij dhe ka dëmtuar orenditë shtëpiake të banesës së saj.
Nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan janë proceduar penalisht për veprën “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasit A. B., 39 vjeç dhe Q. B., 64 vjeç, banues në Elbasan, pasi nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe i kanë penguar ata, në ushtrimin e detyrës.
Po nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan janë proceduar penalisht shtetasit:
I. S., banues në Elbasan, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi është konstatuar duke bërë punime pa leje në lagjen “5 Maji”;
E. Z., banues në Elbasan, drejtues i një firme private, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, pasi mjetet e firmës së tij janë konstatuar duke transportuar inerte në lumin Shkumbin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.