Investimet në shëndetësi kanë transformuar spitalet rajonale duke ofruar jo vetëm kushte më të mira, por edhe më shumë shërbime cilësore për pacientët. I tillë është edhe investimi që po kryhet në pediatrinë e re të spitalit të Elbasanit, i cili pritet të finalizohet së shpejti.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, e cili ka publikuar pamje nga kantier, ku punimet po ecin me ritme të larta.
“Mirëmëngjes dhe me pediatrinë e re të Elbasanit që është drejt përfundimit, një tjetër shembull i vizionit tonë për shëndetësinë që duam, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Pediatria e Spitalit të Elbasanit përfundon rikonstruksionin dhe pajisjet me buxhetin e shëndetësisë 2022, ndërkohë që vijojnë te finalizohen një sërë investimesh në sektor si: përfundimi i fazës së parë të ndërtimit dhe pajisjes me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar të Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT si edhe rikonstruksioni dhe zgjerimi i Spitalit të Pediatrisë në QSUT (Faza II).