Në kujtim të Profesor Riza Hasa/ Ja si do e kujtojë Universiteti një ndër figurat më të spikatura të tij. Profil

Profesor Riza Hasa ishte një ndër figurat më të spikatura të mjedisit universitar, shkencor dhe kulturor të qytetit të Elbasanit. Fillimisht si mësues i përkushtuar, e më tej arkeolog, historian, pedagog, studiues, publicist, promovues i trashëgimisëarkeologjike e historike të rrethit të Elbasanit, ai u bë një emër i rëndësishëm për qytetin dhe burim reference për kërkuesit e rinj dhe me përvojë që interesoheshin për “thesaret” e trevës.

Ai lindi në Skrapar më 3 mars të vitit 1950. Ai nisi punën si mësues në Dragot të rrethit të Elbasanit që në vitin 1967, pas mbarimit të shkollës së mesme. Më tej nisi studimet në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua për histori dhe gjeografi. Deri në vitin 1984 ka punuar si mësues, por edhe drejtues në shkollat e rrethit të Elbasanit, si në Belsh etj. Nga viti 1984 dhe deri në vitin 1993 ai punoi si kërkues dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Kërkimeve Arkeologjike në Tiranë.

Si kërkues shkencor i Institutit të Arkeologjisë dhe anëtar i departamentit tëprehistorisë, veprimtarinë e tij kërkimore ia kushtoi hulumtimit të gjurmëve arkeologjike përreth territorit të Elbasanit. Ndër angazhimet e tij më të rëndësishme në fushën e kërkimeve prehistorike janë gërmimet arkeologjike në vendbanimin prehistorik të Lleshanit, në zonën malore të Shpatit, Elbasan. Rezultatet e disa fushatave gërmimesh kryer në këtë vendbanim u botuan në revistën “Iliria” 1987, 1989 dhe 1990, organ i përvitshëm i Institutit të Arkeologjisë.

Profesionalizmi dhe nuhatja prej një arkeologu të spikatur mundësuan rënien në gjurmët e një thesari prej 2700 monedhash të ruajtura në një enë bronzi, dëshmi e dinamikës së zhvillimit të vendbanimit të Lleshanit gjatë periudhës qytetare ilire. Pasioni i tij në zbulimin e të fshehtave të Lleshanit ka sjellë si rezultat të dhëna të rëndësishme mbi natyrën e këtij vendbanimi, si edhe intensitetin e përdorimit dhe dinamikat e zhvillimit dhe transformimit të këtij vendbanimi. Si njohës shumë i mirë i materialit arkeologjik të periudhës antike, ai sugjeroi lidhjet e sakta kulturore të Lleshanit me grupin kulturor të rajonit në veri të lumit Shkumbin. 

Në vitin 1994 u emërua pedagog në Universitetin e Elbasanit “A.Xhuvani”, në katedrën e historisë dhe gjeografisë dhe punoi në këtë institucion derisa doli në pension. Përgjatë kësaj periudhe ai ka qenë lektor i kurseve të Arkeologjisë dhe Historisë së Popullit Shqiptar. Ka qenë përgjegjës i grupit mësimor-shkencor të historisë, anëtar i këshillit shkencor të Fakultetit të Shkencave Humane. Më datë 30.01.2014 Këshilli i Profesorëve të Universitetit të Elbasanit i dha titullin “docent”.

Edhe pas shkëputjes nga angazhimet zyrtare në Institutin e Arkeologjisë, prof.Rizai vazhdoi të ishte një pikë e rëndësishme referimi dhe burim i pashtershëm shkëmbimi përvojash me kërkuesit e këtij Instituti, si edhe për çdo projekt studimor me fokus në vendgjetje të rëndësishme arkeologjike përgjatë shtrirjes së rrugës Egnatia.

Dashuria e tij për arkeologjinë çoi në ngritjen e laboratorit të arkeologjisë pranë Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ku grumbulloheshin gjetje arkeologjike nga zona përreth Elbasanit. Me angazhimin e tij personal u bë i mundur studimi i materialit të këtij laboratori në bashkëpunim me kolegë të Institutit të Arkeologjisë dhe botimi i tij në Konferencën Ndërkombëtare “Risi arkeologjike nga trevat shqiptare”, organizuar nga Instituti i Arkeologjisë në vitin 2017.

Të dhënat e këtij materiali, me prejardhje nga një varreze e zbuluar përmes gërmimeve të padokumentuara në Mirakë kanë dhënë rezultate të rëndësishme jo vetëm mbi larminë e gjetjeve prej qeramike dhe metali, por edhe kuptimin e tij në kontekstin politik dhe kulturor të territorit përreth Elbasanit gjatë periudhës romake. Natyra ushtarake e koleksionit të Mirakës është një vlerë e shtuar në njohuritë tona mbi nivelin e barbarizimit, militarizimit dhe ruralizimit të banorëve lokalë të këtij territori.

Ndër kontributet e tij më të rëndësishme si studiues përmendim studime, si: “Gërmime arkeologjike në Lleshan (Elbasan)”, “Iliria” 17-2, 244-245, 1987;“Gërmime arkeologjike në Lleshan (Elbasan), Iliria 19-2, 266-267, 1898; “Gërmime arkeologjike në Lleshan (Elbasan), Iliria 20-2, 253-254, 1990; Hasa Riza, Shkodra-Rrugia, B, Veseli. S, 2017, “A Necropolis of the mid-Roman period (3rd to 4th century)? – Occasional finds from Mirakë (Elbasan)” botuar në Proceedings of International Congress for Albanian archaeology, Tirane 30-31 Janar 2017, Tiranë 2017. Ishte hartuar i disa zërave për pasurinë arkeologjike të qytetit të Elbasanit në “Elbasani-Enciklopedi”, botuar në 2003. Ishte anëtar i këshillit shkencor botues të revistës etnokulturore “Albanon” (ISSN: 2616-6372), botim i Albanian Digital Archives and Collections, që prej themelit të saj në 2018, dhe shkrues në numrat e parë të kësaj reviste me shkrimet: “Zbulime arkeologjike në trevën e Elbasanit”, “Saraje pashallarësh në Elbasan, por kush ishte pashai?”, “Thesaret ‘e fshehura’ të qytetit të Elbasanit”.

Profesor Rizai ishte aktiv në shtypin e përditshëm, botues artikujsh informues dhe polemikë, i intervistuar nga media të ndryshme për çështje të pasurisë arkeologjike lokale dhe kombëtare, një intelektual i angazhuar në mbrojtje të monumenteve historike dhe arkeologjike të rrethit të Elbasanit, bashkëpunëtor plot energji në projekte kërkimore qoftë të terrenit, qoftë në hartimin e guidave historike e kulturore për rrethin e Elbasanit, mikpritës dhe udhërrëfyes pasionant në sitet arkeologjike për studentë, vizitorë, kërkues shkencorë, dashamirës të arkeologjisë dhe të monumenteve historike.

Ai ndërroi jetë në qytetin e Elbasanit, pas një sëmundjeje të rëndë, në 21 janar 2022.