Është ndarë nga jeta profesor Riza Hasa. Profesori i nderuar u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.
Miqtë e tij do e kujtojnë për profesionist, mikun, shokun, pasionantin e historinë e vendit, arkeologun e pandalshëm.
Postimi i plotë i profesores Teuta Toska:
“Riza Hasa ishte një nga figurat më të spikatur të Universitetit ‚Aleksandër Xhuvani‘ të Elbasanit.
Prof. Riza Hasa ishte arkeologu i parë i terrenit që kam njohur. Në këtë universitet them se ka qenë i vetmi. Zbulimi ishte pasioni i tij më i madh. Duart e tij që mbanin me aq kujdes gjetjet e ekspeditave të tij nuk i harroj. “Shiko këtu këtë formë”, dhe e rrotullonte artefaktin me kujdes, e lëmonte, i shkëlqenin sytë.
Argjila, gurë, copa kolone, vegla të ndryshkura, një armë e vjetër e ndryshkur, dhe libra, libra, libra plot shënime të vetat. Përqark herë mjegulla e cigareve, herë aroma e fortë që linin pas: të vetmet që mund të hynin në zyrën e tij kur studionte. Disa prej atyre gjetjeve të tij janë ende në kabinetin e tij, tonin tani, si gjurmët e fundit të një ëndrre që s’e realizoi dot: një muze arkeologjie me gjetjet e tij, të prof.Bertit dhe të studentëve të tij.
Ishte pasionant. Puliste njërin sy dhe tundte pak kokën majtas-djathtas kur të thoshte atë që kishte zbuluar nga leximet, të cilat pohonin idetë e tij, që s’kishte kohë t’i shkruante. Kurse zbulimet e terrenit na i prezantonte me gëzim fëminor. Të gjithëve atyre që e takonin. Dhe po aq bëhej zemërak kur dikush nxirrte në bisedë ide të tjera për historinë e shqiptarëve. Më kujtohet se me javë të tëra nuk ishte i qetë, turfullonte, derisa shkroi një artikull për librin e Oliver Schmitt-it për Skënderbeun. Lamtumirë, mik dhe profesor i dashur”-shkruan Toska.