Një apartament në katin e 10 në lagjen “Aqif Pasha” në Elbasan pranë shkollës “Sulë Harri” është përfshirë nga flakët duke shkaktuar panik te banorët e të gjithë pallatit. Sipas burimeve për MCN, dyshohet se shkak është bërë një defekt në automat. Në momentin e zjarrit në banesë kanë qenë dy persona një i moshuar dhe një grua.
Mbërritja e zjarrfikëses në kohë ka bërë të mundur neutralizimin e situatës dhe shuarjen e flakëve.
Veç dëmeve materiale fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. Veç dy mjeteve të zjarrfikëses në vendngjarje mbërriti dhe policia e cila nisi hetimet për këtë rast.
Duket se shkëndijat elektrike dhe defektet në rrjet janë bërë shkak i djegies së disa banesave në Elbasan. Kujtojmë se një ditë më parë një banesë u përfshi nga flakët në lagjen Kala.