Emri/ Mësuesja nga Elbasani shpallet “Mësuesja e vitit”. Ajo është ndër…

Albana Zejnelhoxha është mësuesja nga Elbasani e cila gjatë ceremonisë së organizuar nga  ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka marrë çertifikatën “Mësuesi/ja e vitit” për ZVA Elbasan.

Mësuesja nga Elbasani ka mbaruar studimet në vitin 1998 në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” për degën “Histori-Gjeografi” dhe ka mbi 20 vite eksperiencë në fushën e mësuesisë.

Prej vitit 2015 Zejnelhoxha mbart  titullin Doktor Shkencash, pas mbrojtjes së temës “Turizmi kurativ në trevat Shqiptare, realitet dhe prespektivë” në Universitetin e Tiranës.

Mësuesja Elbasanase ka dhënë kontributin e saj në arsimimin e brezave në dy gjimnazet e mirënjohura të qytetit, “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Dhaskal Todri”, ku punon prej  7 vitesh.

Albana është mësuesja, që ka përgatitur nxënësit të cilët për herë të parë u sollën qytetit çertifikatë si fitues të “Olimpiadës Kombëtare të Gjeografisë” në vendin e tretë, gjatë periudhës 2020-2021.

Zejnelhoxha është një nga mësueset që vazhdojnë të japin kontributin e çmuar, jo vetëm në mësimdhënie por edhe në hartimin e tezave të maturës, në konferencat, në bashkëpunimet me ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar) duke realizuar punë  profesionale dhe shkencore.

Ajo është ndër mësueset e  kualifikuara të “Dhaskal Todri”-t, thënë kjo si ish-nxënëse që flet në emër të të gjithë brezave të kaluar të gjimnazit. Të gjithë e kujtojnë atë si të afërt me nxënësit, duke i trajtuar të gjithë njësoj dhe duke u lidhur emocionalisht me të gjithë.

Në ceremoninë e organizuar mësuesit janë falenderuar për kontributin e tyre në arsimimin e brezave ndër vite./ elbasanion