Një 27-vjeçar ka humbur jetën mesditën e sotme në Cërrik, pasi i ka shpërthyer një granatë në dorë. Viktima është Erion Rexhepi, person pa precedentë penalë, ndërsa paraprakisht dyshohet se ngjarja është aksidentale.
Burimet thanë se viktima punonte duke mbledhur kallamë dhe duke i punuar ato. Ngjarja ka ndodhur pranë shtëpisë së tij, rreth orës 12:15 në aksin Cërrik-Peqin në rrethana ende të paqartë. Dyshohet se i riu mund ta ketë gjetur granatën në kohën kur ka mbledhur kallamët dhe e ka marrë atë me vete, duke i shpërthyer në duar.
Fqinjët e 27-vjeçarit kanë thënë për mediet se ai vinte nga një familje me kushte shumë të vështira ekonomike dhe se ka lënë pas 3 fëmijë.
“Ishte djalë i mirë, i qetë. Unë isha në shtëpi, kur vajtëm aty kishte mbaruar çdo gjë. Njerëz familjarë, hallexhinj, shumë të rregullt. Na ka ardhur shumë keq. Po habitemi edhe vetë, disa thonë me bombol gazi, disa me granatë. Janë familjarë, me 3 fëmijë, i ati e ëma janë besimtarë. Ai ka tre fëmijë”, rrëfyen fqinjët e të riut.