Enea Jorgji është vlerësuar maksimalisht nga UEFA duke ngjitur shkallët në karrierën e tij. Arbitri shqiptar me stemën e FIFA-s është ngjitur zyrtarisht në Kategorinë e Parë, duke u rritur në këtë mënyrë profesionalisht në arenën ndërkombëtare. Ai ishte pjesë e Kategorisë së Dytës dhe prej ditës së sotme, gjyqtari elbasanas ka marrë vlerësimin maksimal nga UEFA. Elbasanasi, një nga më të mirët e kampionatit shqiptar mund të gjykojë deri në grupet e Champions League. Ndërsa në Europa League do të mund të vendosë sistematikisht drejtësi. Gjithashtu nuk ka të drejtë të gjykojë në Europian apo Botëror.
Vendimi i UEFA-s dhe ndryshimet në Kategoritë e gjykimit
Institucioni më i lartë i futbollit europian (UEFA) ka vendosur të ndryshojë organizimin e sistemit të gjykimit. Më parë ishin katër shkallë për arbitrat e stemës së FIFA-s që vijonin si më poshtë: Arbitrat elitarë, Kategoria e Parë, Kategoria e Dytë dhe Kategoria e Tretë. Jorgji bënte pjesë në Kategorinë e Dytë. Ndërsa së fundmi, UEFA ka vendosur që Kategoria e Dytë dhe e Tretë të shkrihen në një të vetme. Siç mëson Newsport.al, nga organizimi i ri janë tashmë vetëm 3 kategori në total: Arbitrat elitarë, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë.
Vlerësimi për Jorgjin dhe vendimi historik për arbitrimin shqiptar
Enea Jorgji është padyshim një nga arbitrat më të mirë në vendin tonë. Gjyqtari elbasanas prej vitesh mban stemën e FIFA-s. Në Shqipëri mund të ketë qenë disi i kontestuar, ndërsa në ndeshjet europiane të ngarkuar për të vendosur drejtësi, ka marrë gjithmonë vlerësime pozitive nga organet përkatëse. Kësisoj, ditën e sotme në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe në kutinë e mesazheve elektronike të gjyqtarit ka mbërritur nga UEFA, lajmi i madh: Enea Jorgji zyrtarisht pjesë e Kategorisë së Parë të arbitrave.
Puna sistematike dhe objektivi madhor
Pas këtij lajmi fantastik, Jorgjit s’i mbetet gjë tjetër veçse të japë sërish maksimumin e tij, pse jo, për të prekur ëndrrën e madhe, zhvendosjen në Kategorinë e Arbitrave elitarë. Kjo duket mjaft e vështirë, jo prej aftësive profesionale të tij, por për shkak të kampionatit shqiptar ku koeficienti është shumë më i ulët se i atyre europiane. Një ndihmë shumë të madhe për të katapultimin e elbasanasit, sigurisht duhet të japë edhe FSHF-ja me lobimin e saj për aftësitë e 37-vjeçarit. /Newsport.al/