U zhvillua sot në Institucionin e Prefektit të Qarkut Elbasan, Tryeza e Rrumbullakët me temë: “Rëndësia e rolit të punonjësit social në garantimin e një mjedisi të sigurt social”.
Prefektja Znj. Majlinda Perriu e mirëpriti ftesën për bashkëpunim nga pedagogë dhe profesionistë të punës sociale dhe në fjalën e saj duke i falenderuar së pari, theksoi se punonjësit social luajnë një rol kyç në identifikimin, referimin, riintegrimin e fëmijëve në rrezik, viktimave të mundshme ose viktimave të trafikimit, të dhunës me bazë gjinore, bullizmit, grupeve vulnerable etj.
Kjo tryezë bëri bashkë pedagogë, punonjës social nga i gjithë qarku i Elbasanit si dhe profesionistë të tjerë të fushës duke zhvilluar një diskutim interaktiv mbi rëndësinë e punonjësve social, sidomos atyre në shkolla për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të fëmijëve si dhe sfidat me të cilat përballen ato gjatë punës së përditshme.
Duke ju referuar planit vendor të veprimit të Komitetit Rajonal AntiTrafik Elbasan, këto takime të cilat theksojnë rëndësinë e funksionimit të çdo stukture, njëkohësisht rrisin edhe kapacitetin e nëpunësve, në këtë rast të punonjësve social.
Vitet e fundit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka rritur numrin e punonjësve social në institucionet arsimore.
Kuptimi i detyrimeve, profesionalizmi, kryerja me efikasitet dhe përgjegjshmëri e detyrave ndikon pozitivisht në parandalimin e këtyre fenomeneve.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Elbasan si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark, si dhe në përmbushje të detyrave të tij si drejtues i Komitetit Rajonal të Luftës Kundër Trafikimit të Personave është i hapur për bashkëpunime të tjera në vazhdim duke siguruar bashkërendim dhe koordimin midis aktorëve lokal.