Grumbullimi i mbeturinave masive dhe mungesa e koshave ka bërë që në qytet të kemi një alertë përsa i përket pastrimit të tyre.
ASHP-ja prej ditësh po punon me 3 turne për menaxhimin e mbetjeve të qytetit dhe gjithë zonave rurale me një ritëm dhe vrull pune sfidues pas vështirësive që hasi.
Një problem evident për banorët e Bashkisë së Elbasanit ishin koshat e mbetjeve urbane të cilët ishin të amortizuar prej kohësh.
Prej dy ditësh në qytetin e Elbasanit ka nisur procesi i zëvendësimit të tyre me kosha të rinj. Punë e cila po vijon edhe sot duke u koordinur nga strukturat e bashkisë.
Para dy javësh bashkia Elbasan njoftoi se:
Për shkak të tërheqjes të kompanisë së pastrimit të qytetit, prej disa ditësh po përballemi me një situatë jo të zakontë në tërheqjen e mbetjeve urbane.
Të ndodhur në këto kushte, Bashkia e Elbasanit po kryen provizorisht procesin e pastrimit me anë të Agjencisë së Shërbimeve Publike jo vetëm në fshat por edhe në qytet, ç’ka shkaktuar vonesa në grumbullimin e mbetjeve urbane në disa zona.
Kemi angazhuar të gjithë strukturën tonë për menaxhimin e kësaj situate deri në përfundimin e procedurave ligjore të prokurimit.
U kërkojmë ndjesë qytetarëve për shqetësimin e krijuar. Po përpiqemi me të gjitha forcat që sa më shpejt të rikthejmë normalitetin e një qyteti të pastër e të bukur.