Elbasan/ Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë. Ja për çfarë akuzohen

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e rasteve të ushtrimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe ndëshkimin e atyre personave që ushtrojnë ketë veprimtari, gjatë kontrolleve në lagjen “Visarjon Xhuvani”, Elbasan, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë, në ambientet e lokalit të tij, shtetasin E. Z., 38 vjeç. 

Gjatë kontrollit në lokal, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri dhe një aparat celular që përdorej për vendosjen e lotove të sportit. 

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan proceduan penalisht për veprën penale “Ushtrim pa licencë i veprimtarive financiare”, shtetasit M. Z., 50 vjeç dhe B. Sh., 53 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen ‘’Çlirimi”, Elbasan, ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor, pa licencë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash në lekë dhe në euro. 

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. H., 18 vjeç, banues në Mengël, Elbasan, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar mjetin, pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.