Aktori Alec Baldwin ka reaguar për herë të parë pas ngjarjes tragjike të ndodhur në shesh xhirim, ku ai vrau aksidentalisht kineasten Halyna Hutchins dhe plagosi rëndë regjisorin. Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, aktori tha se ishte në kontakt me bashkëshortin e saj dhe i kishte ofruar mbështetje.
“Unë jam në kontakt me burrin e saj, për t’i ofruar mbështetje atij dhe familjes së tij. Zemra ime është thyer për burrin e saj, djalin e tyre dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Halyna. Nuk ka fjalë që përshkruajnë tronditjen dhe trishtimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që mori jetën e Halyna Hutchins, një gruaje, nëne dhe kolegeje të admiruar thellësisht. Unë jam duke bashkëpunuar plotësisht me hetimin e policisë për të adresuar se si ndodhi kjo tragjedi”, ka shkruar Baldwin në “Twitter”.
Kineastja u dërgua në spital me helikopter pas të shtënave të enjten pasdite në xhirimet e filmit “Rust” , por vdiq nga plagët e marra, pasi aktori Alec Baldwin shkrepi me armë skenike, ndërsa u plagos regjisori i filmit, Joel Souza, 48 vjeç.