Të gjitha pronat e lagjes “Kala” në Elbasan tashmë po i nënshtrohen procesit të regjistrimit fillestar, në fund të të cilit qytetarët do të pajisen me certifikata pronësie. Në kuadër të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme në Drejtorinë e Kadastrës Elbasan, Kadastra Shqiptare njofton se pas përfundimit të punimeve fushore dhe administrimit të dokumentacionit shtetëror për aktet e pronësisë në Zonën Kadastrale 8524 qyteti Elbasan, është përgatitur regjistri kadastral, ku rezultojnë 7572 pasuri të paluajtshme.
Në këto kushte, prej datës 27.07.2021 ka filluar konsultimi publik i të dhënave të regjistrimit fillestar për ZK.8524 Elbasan. Konsultimi publik për këto pasuri do të kryhet për një periudhë kohore 45-ditore dhe do të përfundojë në datën 10.09.2021.
Gjatë kësaj periudhe, në zyrën e konsultimit publik mund të depozitohet dokumentacion pronësie si dhe çdo pretendim apo ankesë në lidhje me të dhënat e pronësisë të shpallur.
Harta kadastrale dhe të dhënat e pronësisë do të jenë të afishuara në zyrën e informacionit me adresë godina e Kadastra Elbasan, Lagjja “5 Maji”, Rruga “28 Nëntori”, ish-godina e Gjykatës, si dhe në faqen e internetit www.ashk.gov.al
Kadastra njofton se, qytetarët të cilët gjejnë emrin në listë, janë të lutur të verifikojnë pronën e tyre nëse është trajtuar realisht, siç ata e pretendojnë. Në listë gjendet vetëm emri i njërit prej anëtarëve të familjes, gjë që nuk i përjashton anëtarët e tjerë.
Në rast se pas konsultimit të hartës kadastrale, do të ketë paqartësi apo ankesa, ftohen qytetarët të shkruajnë për sqarime pranë adresës së e-mail: [email protected]
Kalaja e Elbasanit është ndërtuar në kohën e Perandorisë Romake rreth 2000 vjet më parë, në formën klasike të kalave romake me formë katrore. Pas rrënimit gjatë dyndjeve barbare, ajo u rindërtua tërësisht nga sulltan Mehmeti II në vitin 1466 gjatë luftërave me Skënderbeun.
Pas disa shekujsh si kala garnizoni, ajo dalëngadalë u kthe në zonë banimi dhe erdhi në shekullin XX tërësisht e banuar, kryesisht me banorë ortodoksë, që njihet si lagjja “Kala”. Brenda saj janë një numër banesash monument kulture si edhe disa kisha dhe xhami. Gjithashtu brenda territorit të saj është edhe ndërtesa e Shkollës Normale të hapur në vitin 1908.