“Automotoparku i parë shqiptar, i cili po projektohet për t’u ndërtuar në Elbasan, do të materializohet nën kujdesin e vetë FIA”, u shpreh sot, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Duke publikuar foto nga Automotoparku, Balla theksoi se, “nën patronazhin e veçantë të Presidentit të FIA, Jean Todt, sot mbajtëm takimin zyrtar prezantues me pjesëmarrjen e drejtuesve të DPSHTRR dhe përfaqësuesve të FIA: Adam Baker, Stuart Robertson, Paul Rea, Tim Malyon, Guido Gaetani d’Aragona. Në takim merrnin pjesë edhe Presidenti i Automobile Club Albania – ACA, Niko Leka dhe SP i ACA Eridon Lameborshi, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja”.
Balla theksoi se, “AUTO MOTO PARK ELBASAN është një hap historik për automotorizimin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike, si dhe për promovimin e kulturës së motorsportit në Shqipëri”.
“Cirkuiti i parë shqiptar me pistë 5 km dhe një sipërfaqe prej 500,000+ m2 në qytetin e Elbasanit, sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK! Edhe si qendër eventesh indoor dhe outdoor, muze e atelier RETRO, drag strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademi edukimi mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë offroad, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta”, tha Balla.
Balla u shpreh se, “investimi përfshin edhe kompleksin e ri të DRSHTRR Elbasan me Qendrën e re të Kontrollit Teknik (kolaudimi), dedikuar shërbimeve të transportit rrugor”.
“Projekti do të financohet nga fondet e DPSHTRR-MIE në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare”, tha Balla.