Pamjet apokaliptike të zjarreve që përpijnë malet prej 11 ditësh kanë krijuar një situatë katastrofike në qarkun e Vlorës dhe në disa zona të tjera të vendit, mes tyre edhe Përmeti, ku janë përfshirë në flakë sipërfaqe të mëdha të kullotave dhe pyjeve. Rreziku nga zjarret vijon të jetë i lartë.
IGJEUM ka paralajmëruar se sot në 10 qarqe të vendit ka rrezikshmëri të lartë për rënien e zjarrit, për shkak të temperaturave të larta. Parashikohet që në disa zona temperatura të shkojë mbi 40 gradë celcius. Përmes një postimi në rrjetet sociale IGJEUM sqaron se një erë e madhe me pluhur po vjen drejt vendit tonë nga shkretëtira e Saharasë.
10 qarqet e vendit që parashikohen me rrezikshmëri të lartë për rënien e zjarreve janë Shkodra, Kukësi, Lezha, Tirana, Elbasan, Fieri, Berat, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, kurse me rrezik të moderuar janë Durrësi dhe Dibra.