Projekti “Playmakers”, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me kompaninë e famshme të Disney-t dhe UEFA-n ka nisur të shtrihet tashmë në të gjithë vendin. Pas prezantimit dhe implementimit të projektit në shkollën “Wilson” në kryeqytet dhe kopshtit “Gogi Kids Education”, Playmakers ka mbërritur edhe në qytetin e Elbasanit, ku instruktorët e certifikuar nga FSHF-ja për këtë projekt kanë zhvilluar disa seanca stërvitore me vajzat e moshës 5-6 vjeç në kopshtin numër 9.
Të pranishëm në këtë event të zhvilluar ditën e sotme në Elbasan ishin drejtuesi i zyrës Rajonale të Elbasanit, Ilirjan File, përfaqësuesi i FSHF-së, Sadi Salla si dhe drejtuesit e kopshtit nr.9 e instruktorët e projektit.
Në një prononcim për mediat, drejtoresha e kopshtit, znj. Valbona Lala u shpreh e lumtur që ky projekt ka nisur të aplikohet në kopshtin ku ajo drejton. “Ne jemi falenderues që projekti “Playmakers”, që vjen si bashkëpunim i FSHF-së, UEFA-s dhe Disney-t aplikohet pikërisht në kopshtin nr.9, ku përfituesit kryesorë janë vajzat e kopshtit nr.9”- tha drejtoresha Lala.
Gjithashtu, edhe një nga instruktoret e këtij projekti, Klaudia Varfi, falënderoi FSHF-në për këtë projekt, duke theksuar se qëllimi i tyre është të nxisin vajzat të luajnë futboll. “Falenderim për FSHF-në që në bashkëpunim me UEFA-n dhe Disney për këtë projekt kaq të bukur. Qëllimi ynë është të nxisim vajzat të merren sa më shumë me sport e sidomos me futboll”- u shpreh Varfi.
Përfaqësuesi i FSHF-së në Elbasan, Sadi Salla theksoi se ky projekt i sjellë në Shqipëri nga Federata e Futbollit ka si qëllim të afrojë vajzat e vogla me futbollin. “Jemi në kopshtin numër 9 të qytetit të Elbasanit, ku po bëhet promovimi i këtij projekti për qarkun e Elbasanit. Projekti ka si qëllim që të afrojë sa më shumë vajzat e vogla drejt futbollit dhe prioriteti i FSHF-së janë futbolli i femrave dhe futbolli i fëmijëve. Ky projekt udhëhiqet nga trajnerë që janë instruktuar nga specialistë të FSHF-së dhe specialistë të UEFA-s”.
Ky projekt, që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, synon të zhvillojë e masivizojë futbollin e fëmijëve e veçanërisht atë të vajzave.