Kryeministri Edi Rama, Drejtuesi Politik i Pastisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla morën pjesë në takimin e mbylljes së fushatës elektorale në mjediset e stadiumit Elbasan Arena. Në nisje të fjalës së tij, Balla shprehu falënderime të përzemërta për të gjithë të pranishmit, teksa apeloi për kujdes të shtuar ndaj masave anti COVID-19, pasi jeta është gjëja më e rëndësishme që ka çdo njeri.
“Shumë faleminderit dhe shumë faleminderit edhe atyre që janë përjashta. Për shkak se duhet të respektojmë distancat nuk mund t’i fusim të gjithë brenda. Ne nuk jemi si ata, unë e di që sot pas këtij takimi, në ato banaqet e darkës do të fillojnë: Ja Partia Socialiste i shkeli masat, nuk eshtë e vërtetë. Distanca është respektuar në çdo cep dhe ju lutem edhe atyre që janë jashtë të respektojnë distancat sepse jeta është gjëja më e rëndësishme që ne kemi”, u shpreh Balla.
Balla kundërshtoi deklaratat e opozitës, e cila më herët vuri në pikëpyetje punët dhe investimet që ka bërë qeveria Rama në zonën e Elbasanit. Ai foli edhe për synimet e vitit të parë të mandatit të tretë qeverisës.
“Na kërkojnë bilanc e na thonë çfarë kemi bërë këto 8 vite dhe unë do ta filloj me diçka që është shumë konkrete. Këtu në Elbasan, në vitin 2013, ne gjetëm vetëm 603 legalizime ose i binte 1 në 2 ditë kishin bërë ata. Në arritëm nga 2013 në 2021 të kemi plot 17 500 legalizime në Elbasan ose nëse do të kishte vazhduar Luli dhr Iliri, Mona dhe Saliu në pushtet me njëri-tjetrin. Unë sot dua t’i them çdo familje të qarkut të Elbasanit që ne do ta mbyllim legalizimin në qarkun tonë brenda vitit të parë të mandatit tonë të ri sepse e kemi bërë pjesën më të madhe të punës”, pohoi Balla për të pranishmit në takim.
Një vëmendje të veçantë në fjalën e tij, Balla ia kushtoi edhe ndërhyrjeve që janë bërë nga qeveria në tetë vite qeverisje, duke e vënë theksin kryesisht tek uji i pijshëm, infrastruktura rrugore, rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike, etj.
“Na pyesin çfarë bilanci kemi në Prrenjas dhe unë do t’ju them që me punët që kemi bërë vetëm dy vitet e fundit, ne nuk krahasohemi jo me 8 vitet e tyre por nuk krahasohemi nëse doni të merrni bashkë 28 vite. Kemi ndërhyrë për të garantuar furnizim me ujë të pijshëm, kemi ndërhyrë për të garantuar infrastrukturë rrugore, rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, po kështu kemi bërë në Librazhd. Çfarë pune ke bërë në Librazhd thotë Luli? Isha në Librazhd dhe e gjeta shkretëtirë, unë nuk e di nëse ke qenë në Librazhd por duhet t’i hedhësh sytë në vendin e duhur që të shohësh gjithë atë punë të madhe që është bërë në Librazhd. Unë jam shumë krenar që kemi arritur ta transformojmë Librazhdin por si në Prrenjas dhe Librazhd ky është vetëm fillimi i një pune të madhe që do të prekë çdo fshat të Librazhdit e Prrenjasit”, vijoi më tej në fjalën e tij Balla.
Drejtuesi politik i PS për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla garantoi të pranishmit se me marrjen e mandatit të ri, do të çohen përpara të gjitha investimet e nisura.
“Elbasani është shembulli ynë i qeverisjes vendore. Dua t’ju them të gjitha njësive administrative se ne do të punojmë më shumë se sa kemi bërë deri më tani. Investimet që kemi nisur do t’i çojmë përpara dhe qytetit të Elbasanit do t’i japim shkëlqimin që i takon. Kalaja, Bypass-i, uji i pijshëm do të jenë sfidat tona të punës,”- tha Balla.
Në fund të fjalës së tij Balla nuk kurseu komentet edhe për kryeministrin Rama, pa të cilin sipas tij, asgjë nuk do të ishte bërë e mundur, ndaj kërkoi nga banorët ta mbështesin atë me votë në zgjedhjet e 25 prillit.
“Ai që na ka ndihmuar të bëjmë gjithë këto punë dhe ka transformuar të gjitha komunitetet tona, ka nisur punën për t’i dhënë Elbasanit shkëlqimin që meriton ka vetëm një emër. Ai quhet Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë. Ndaj unë dua që t’i kërkoj popullit të Elbasanit në çdo cep, në 25 prill ne duhet të bashkohemi më shumë se kurrë t’i japim Edi Ramës mbështetjen që nuk e ka parë më parë në këtë qark. 9 mandate është objektivi ynë minimal,” e mbylli fjalën e tij Balla.