Zhurma e makinave të vjetra i është rikthyer qytetit të Elbasanit. Në një aktivitet të zhvilluar me makina, një ndërthurje e bukur e traditës, bashkëkohores dhe të vjetrës, janë vizituar nga qytetarë të shumtë që memorizuan në telefonat e tyre fotografi para këtyre makinave.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë zoti Gledian Llatja, ministrja e Arsimit zonja Evis Kushi si dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Elbasanin Taulant Balla.
Drejtuesi politik i PS-së së qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, u shpreh se ky është një nga aktivitetet në vazhdën e mjaft të tjerëve që realizohen në Elbasan, veçanërisht në fundjava. Ai nënvizoi se Autoparku, që do të ndërtohet në Elbasan, dhe Kalaja e Elbasanit, do ta shndërrojnë këtë qytet në atraksion të rëndësishëm turistik.
Auto Moto Park në Elbasan, së shpejti do të jetë realitet duke shënuar kështu një hap historik për automotorizimin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike, si dhe për promovimin e kulturës së motorsportit në Shqipëri.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se “kjo ëndërr e shumëpritur, së shpejti do të bëhet realitet”.
“Cirkuiti i parë shqiptar me pistë ~5.3 km ka një sipërfaqe prej 500,000+ m2 përbri lumit Shkumbin, në zonën e Krastës së Elbasanit, sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK.
Muzeu dhe atelieri RETRO, drag-strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademia e edukimit mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë off-road, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta”, tha Balla.