Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, njëherazi dhe kandidate e PS për qarkun e Elbasanit, bashkë me të rinj e të reja të FRESSH Elbasan dhe kandidaten tjetër për deputete Briseida Gjoza kanë ndërmarrë një nismë sensibilizuese për lyerjen e pemëve në Rajonin 5 të këtij qyteti. Kushi nënvizoi se të rinjtë e të rejat e FRESSH Elbasan janë shumë të angazhuar, energjikë dhe aktivë jo vetëm për çështje që lidhen me partitë politike apo me fushatat elektorale, por janë të aktivizuar edhe në çështje në dobi të komunitetit.
“Shpeshherë ne organizojmë konferenca, takime, tryeza të rrumbullakëta me tematika të caktuara dhe aktivitete ndërgjegjësuese. Dhe sot kemi zgjedhur që këtu, në rrugën përpara konviktit të Universitetit të Elbasanit të lyejmë pemët”, – u shpreh ajo, teksa falënderoi të rinjtë e FRESSH dhe inkurajoi të rinjtë në përgjithësi.
“I falënderoj shumë të rinjtë e FRESSH, të cilët janë të shumtë në numër, dhe do t’i inkurajoja jo vetëm ata, por edhe të rinjtë e forcave të tjera politike apo edhe të rinjtë që nuk janë fare të angazhuar politikisht, që të aktivizohen në çështje që lidhen me komunitetin, në dobi të komunitetit”, tha Kushi.