Mile Musai 72-vjeç është një nga artizanet më të vjetra në qytetin e Elbasanit. Prej 55 vitesh ajo end në tezgja qilima, rrugica dhe punime të ndryshme prej leshi dhe pambuku. Edhe pse është një zanat i vështirë dhe i rëndë për një grua, 72-vjeçarja kurr nuk është dorëzuar duke mbajtur familjen e saj me këtë punë.
Edhe tani që zanatin ia ka trashëguar vajzave të saj, gjyshe Mila, vjen çdo ditë, siç thotë edhe ajo vetë, që të vëzhgojë punën e vajzave. Vajza e 72-vjeçares shprehet se punët e realizuara me zanatin e trashëguar nga e ëma, i publikon në rrjetet sociale për të siguruar treg për shitjen e produkteve.
Ashtu si çdo zanat edhe ky, sado i vështirë që të jetë, sërish të sjellë kënaqësi dhe natyrisht të ardhura. Dhe është më mirë ta ushtrosh sesa të presësh nga të tjerët. Pas vajzave, edhe mbesat e gjyshe Milës kanë filluar të ushtrojnë punimet në tezgja, duke garantuar jetëgjatësinë e këtij zanati dhe të traditës së kësaj familje artizanësh.