Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skender Brataj ka folur për situatën e pandemisë në vendin tonë dhe për efikasitetin e vaksinave Pfizer, AstraZeneca, me të cilat po vijon procesi i vaksinimit në Shqipëri. Ai ngriti shqetësimin lidhur me mosrespektimin e masave anti-Covid, ku sipas tij tashmë që jemi në kohën e fushatës elektorale, mund të shkojmë drejt një vale të tretë infektimesh për shkak të takimeve politike.
Por nga ana tjetër Brataj u shpreh se nuk duhet të bëhet diferencë me vaksinat, pasi procesi do të vijojë me dozat që janë aktualisht në gjendje. Sipas tij deri më tani janë kryer 59 mijë vaksina, ku ka pasur efekte anësore, por jo të formës së rëndë.
“Është krijuar komiteti i menaxhimit dhe verifikimit të vaksinës dhe ekipet që janë pranë qendrave të vaksinimit janë skedat e raportimit të efekteve anësore dhe ne te 127 dhe 0800 kemi lëne një formular, por deri më tani që janë bërë rreth 59 mijë vaksina ka pasur efekte anësore por jo të formës së rëndë. Problemi është se dozat e AstraZenecas dhe Pfizerit janë planifikuar dhe për dozën e dytë, në dispozicion do të jenë të katër vaksinat dhe kategoritë nuk zgjidhen me vaksina por sipas planit të vaksinës pavarësisht se çfarë vaksine është gjendja. Nuk duhet të krijohet diferenca mes përdorimit të vaksinave, pasi e mira është që të bëhet vaksinimi dhe do të kryhen dozat që janë më shumë 1 mln e 200 mijë vaksina kemi nga Covax, 500 mijë nga Pfizer. Në një periudhë zgjedhjesh dhe nëse nuk respektojmë masat patjetër që mund të kemi dhe një rritje të shifrave dhe një valë të tretë”, ka thënë Brataj për ABC News.