Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të Elbasanit, ku u ndal tek procesi i legalizimit dhe urbanizimit të qytetit. Teksa bëri me dije shifrat, Balla tha se nën qeverisjen e Sali Berishës u legalizuan vetëm 22 mijë banesa në rang kombëtar, ndërkohë që pas 2013-ës nën qeverisjen e PS u kryen 230 mijë legalizime.
Sa i përket Elbasanit, numri dy i PS theksoi se diferenca është spektakolare.
“Në Elbasan diferenca është spektakolare. 603 legalizime për 8 vite në kohën e qeverisjes së Berishës, ndërsa nga viti 2013 e deri tani 17445 legalizime. Nëse do kishim pritur ata do duheshin 200 vite që në Elbasan të shkonim këtu ku jemi”, tha Balla.
Për të përfunduar procesin e legalizimit, Balla shtoi se për këtë nevojitet mandati i ri nën qeverisjen Rama. Kreu i grupit parlamentar të PS u bëri thirrje qytetarëve që kanë një pronë të vetën, por që nuk e kanë të legalizuar, që të pajisen me leje ose certifikatë pronësie.