Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla thotë se në Qarkun e Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit synojnë minimalisht të marrin 8 mandate nga 14 mandate. Ndërsa për rezultatin në rang kombëtar, z. Balla tha se synimi kryesor është që të ruhen 74 mandate që morën në zgjedhjet e fundit në 2017.
“Synojmë të konfirmojmë numrin që kemi aktualisht dhe në 2-3 qarqet apo 4 dhe shtesë. Qarku i Elbasanit është një prej këtyre qarqeve. Nuk hyj tek rezultati i 2017, por po them që PS në Elbasan merr 8 mandate. Objektivi ynë minimal është 8 mandate. Populli elbasanas nuk i gabon peshorja kurrë”, deklaroi ai.
Z. Balla konfirmoi se në zgjedhje PS do të garojë si parti më vete dhe shtoi se kjo është bërë e ditur që në qershor 2017, pasi ishte rënë dakord për ndryshimin e Kodit Zgjedhor me opozitën.“PS e ka thënë më 26 qershor 2017 që në zgjedhjet e vitit 2021 do të kandidojë pa asnjë aleatë sepse me Lulzim Bashës kemi rënë dakord që të ndërtonim një Kod Zgjedhor që të mos i lejonte koalicionet pavarësisht se çfarë ndodhi më pas”, shtoi ai.