Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka miratuar disa vendime, mes të cilëve edhe për rekrutimet në administratë. Sipas vendimit numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2021 është gjithsej 705, i ndarë në disa kategori. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Vendimi i plotë:
Vendim për planin vjetor të pranimit për vitin 2021 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2021 është, gjithsej, 705 (shtatëqind e pesë), të ndara sipas kategorive të mëposhtme:
a) Për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues 4
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 60
c) Për kategorinë e ulët drejtuese 169
ç) Për kategorinë ekzekutive 472.
Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:
– Shkenca juridike
– Audit i brendshëm
– Shkenca ekonomike
– Shkenca ekonomike/juridike
– Shkenca shoqërore
– Shkenca sociale
– Histori-filologji
– Shkenca mjekësore
– Veterinari
– Agronomi
– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to
– Kimi
– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme
– Shkenca inxhinierike
– Arkitekturë
– Arkeologji dhe restaurime
– Arte të bukura
– Gjeodezi
– Shkenca ekzakte
– Shkenca edukimi
– Mësuesi
– Arsim i lartë ushtarak/policor
– Arsim i lartë.
Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2021, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.