Ne qarkun Elbasan gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme ka pasur reshje dëbore në zonat malore. Në zonat malore të Librazhdit si Stebleva trashësia ka arritur nga 10-15cm. Ndërsa në Qafë Thanë trashësia ka arritur deri 10 cm. Në pjesën tjetër të qarkut ka pasur pjesërisht reshje të dobëta shiu.
Akset e prekura nga bora janë Elbasan – Qafë Thanë, në Qafë Thanë dhe aksi Librazhd-Sterblevë ku nga Klenja në Zgosh qarkullimi kryhet me zinxhirë. Nga firmat kontraktuese janë marrë masat për normalizimin e situatës duke përdorur kripë e skorie. Qarkullimi nuk është ndërprerë në këto akse dhe vijon normalisht.
Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht, përveç disa fshatrave në Prrenjas si: Rrajcë, Qukës si dhe një linjë e cila furnizon fshatin Lin në Pogradec dhe zonën e Mokrës. Nga ana e OSHE po punohet për riparimin e defekteve.
“Ulja e temperatura e këtij fillimviti është shoqëruar mbrëmjen e djeshme me reshje dëbore në zonat e thella malore.
Ekipet e emergjencave civile e të punëve publike të Bashkisë Elbasan janë në monitorim të situatës ku për momentin nuk paraqiten probleme.
Në disa segmente rrugore të njësive Labinot-Mal, Zavalinë, Gjinar këshillohet që drejtuesit e mjeteve të pajisen me zinxhirë për të shmangur çdo të papritur të motit dhe për të siguruar një udhëtim të sigurtë”.-shkruhet në faqen zyrtare të bashkisë Elbasan.
Top Channel