Zbardhet vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë marrë më 21 shtator ku FSHF humbi gjyqin me Autoritetin e Konkurencës. Në maj të këtij viti Autoriteti i Konkurencës pas një hetimi që ka bërë në federatën e futbollit ka kapur këtë institucion në një sërë shkeljesh. Me këtë hetim dhe me gjetjet e Autoritetit të Konkurencës FSHF dhe Presidenti i saj Armand Duka nuk kanë qenë dakord dhe e kanë paditur Autoritetin e Konkurencës në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
Autoriteti i Konkurencës në hetimin që ka bërë në institucionin e futbollit ka konstatuar pozitën dominuese të FSHF-së si entitet të cilit shteti i ka dhënë të drejtën e organizimit të veprimtarive futbollistike kombëtare e ndërkombëtare. Po ashtu shkelje janë gjetur edhe në aktivitetin ekonomik që zhvillon FSHF që ka të bëjë me shitjen e së drejtës televizive ,shitjes së biletave të ndeshjeve të Kombëtares dhe sponsorizimet apo shpërndarjen e drejtë të fondeve të FIFA-s dhe UEFA-s.
Me të gjitha këto konstatime të Autoritetit të Konkurencës FSHF nuk ishte dakord dhe ngriti padi. Ndër të tjera në padi avokati i FSHF-së Julian Mërtiri theksonte se në gjetjet e Autoritetit të Konkurencës ka një mungesë të theksuar të arsyetimit të besueshmërisë ligjore dhe referenca tërësisht teorike duke shpjeguar me detaje çdo gjetje të Autoritetit.
Nga ana tjetër pala e paditur pra Autoriteti i Konkurencës dhe Avokatura e Shtetit mbrojti pikë më pikë të gjitha shkeljet e gjetura gjatë auditimit në FSHF.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë bëri vlerësimin e saj për të gjitha gjetjet dhe vendosi që të rrëzojë tërësisht padinë e FSHF-së ndaj Autoritetit të Konkurencës si të pabazuar në ligj dhe prova. Vendimin për të rrëzuar kërkesëpadinë e FSHF-së e ka dhënë gjyqtari Avni Sejdi dhe detyrohet FSHF që të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore.