Xhani Shqerrën së shpejti do ta shohim në “Mediasset” me emisionin e tij, ndërkohë që stili italian prej një xhentëllmeni gjithë klas bie në sy në setin e ri të fotove që ka realizuar në Dhërmi këtë verë. Moderatori rrëfen për “Panorama Plus” detajet e projektit ku ai e nis me veshje klasike dhe që do ta finalizojë me veshje plazhi.
Si showman-i që i ka provuar të gjitha zhanret në ekran, Xhani rrëfen sekretet e protagonizmit pa klishe, që mund ta bëjë vetëm një djalë mendjehapur.
Poston foto të bukura nga Dhërmiu i veshur me klas. Bëhet fjalë për ndonjë projekt kështu, duke qenë se nga bregdeti duhet të të shihnim me veshje plazhi?
Po, sapo ka nisur fushata verore e brandit italian dhe ky është viti i pestë radhazi që përzgjidhem si imazhi i kësaj firme. Keni parë vetëm prezantimin e parë të kësaj fushate, por pjesa tjetër e koleksionit shkon deri te rrobat e banjës.
Duke qenë se tashmë njihesh si moderator televiziv, çfarë ndjesie të shkakton kthimi në modelin si dikur?
Nuk është një rikthim në fakt. Të veshurit me një estetikë të kuruar në detaj, për mua është stil jetese tashmë, gjë që ka dalluar edhe në ekran. Një prezantues i mirë është ai që shfaqet me vërtetësi në publik.
Nisur dhe nga stili i veshjes, je më shumë djali xhentëllmen apo klasiku, që vështirë ta gjesh veten në kohët që jetojmë?
Që të jesh kontemporan, duhet të kesh një bazë të mirë xhentëllmeni, pasi është abetarja e çdo stili, e çdo kohe. Kjo është një pikë e fortë në kohët që jetojmë, besomë.
Çfarë ka moderne në tipin apo në botëkuptimin tënd dhe deri ku mund të arrish me ekstravagancën në mënyrën e jetesës?
Në qasje estetike besoj është fakt tashmë që ngjyrat e theksuara në ekran i solla unë me linjat e veshjeve të ndryshme, gjë që nga kolegët apo masa dukej si ekstravagancë. Me kohën u kuptua se mendjehapësia nuk është një ekstravagancë, por kanal komunikimi për t’u shprehur pa klishe, pa vetëcensurim, për ta parë botën më me optimizëm.
Kush mendon se janë konkurrentët apo rivalët e tu në Europë, sa i përket fushës së modës?
Nuk e shoh në këtë prizëm, as në konkurrencë e as në një fushë të caktuar. Sot model kam veten e pas 15 viteve.
Po modelja që mendon se të shkon në krah në një set plazhi në breg të detit?
E pse duhet t’ia prishja foton me prezencën time?
U fol për një projekt televiziv në Itali, ç’po ndodh me realizimin e tij?
Uroj që shtatori të më gjejë në setin e tij. Duhej ta kisha mbyllur së regjistruari, por kjo pandemi shkaktoi shumë probleme në Itali, sidomos për sektorin audioteleviziv.
Nga ana tjetër, “Bel Mondo” është udhëtimi yt televiziv shqiptar që sjell vetë parajsën në sytë e publikut. Janë këta njerëzit që do doje të ishe i rrethuar dhe jeta që do të dëshiroje të bëje?
Në “Bel Mondo” kam dashur të sjell Shqipërinë elegante dhe sot mund ta them me plot bindje se ia kam dalë. Parajsa është te ne. Nuk do të doja të vishesha me jetën e tyre, por ta evidentoj e ta vë në pah për të shërbyer si shembuj suksesi.
Jashtë ekranit të shohim gjithmonë të kuruar me perfeksionin e një dhëndri. Kur mund të bëhesh vërtet dhëndër?
E dua edhe unë si gjë, si ceremoni, por se kur do të ndodhë, s’di ta them tani.
Në ç’rast një person i Malavitës mund të jetë pjesë e “Bel Mondos”?
Në asnjë rast. “Bel Mondo” nuk është bella vita, është bota e brendshme e njerëzve selfmade, me principe e me dashuri ndaj jetës, pa asnjë “mal” në të.
Panoramaplus.al