“Paga e luftës” dhe bonusi prej 40 mijë lekësh u shpërnda si ndihmë financiare nga qeveria për rreth 250 mijë punonjës në të gjitha kategoritë e biznesit, të cilat u mbyllën, ose aktiviteti i tyre u reduktua për shkak të kufizimeve të vendosura. Jola dhe Theoharis Trasha janë dy nga të vetëpunësuarit e shumtë që e kanë përfituar pagën e luftës 26 mijë lekë për tre muaj nga qeveria.
Jola dhe Theoharis janë dy stomatologë që kanë klinikën e tyre “Elbadent” në Elbasan. Në një bashkëbisedim me ATSH-në, ato thonë se janë të vetëpunësuar në klinikën e tyre prej disa vitesh.
Për të përfituar për pagën e luftës gjatë kohës së pandemisë, kanë aplikuar online në formularin e paraqitur nga Administrata Tatimore. Ata i vlerësuan të thjeshta procedurat që duhet të ndiqnin për aplikim pranë Administratës Tatimore.
Për pak ditë, shprehet Jola, përmes një mesazhi nga Administrata Tatimore ishte njoftuar se kërkesa ishte aprovuar. Jola shprehet se klinika u mbyll që prej 11 marsit dhe u hap në 11 maj.
“U mbyllëm që prej 11 marsit dhe nuk punuam për 2 muaj deri në 11 maj. Klinikat dentare ishin ndër bizneset e fundit që u hapën. Periudha e karantinës ishte e vështirë si për ne edhe për pacientët tanë, të cilët kishin raste emergjente dhe shpesh na telefononin, por nuk mund t’i ndihmonim dot“, shprehet ajo.
Ndërsa Theoharis shprehet se aktualisht puna vijon normalisht megjithëse ka ende pacientë që kanë një farë frike për shkak të COVID-19, por me marrjen e masave higjieno-sanitare gjithçka është rikthyer në normalitet.
“Pas rihapjes së klinikës pati një fluks të shtuar të njerëzve, por ende tek ata qëndron frika nga COVID-19”, megjithëse shton ai, “ne i kemi marrë të gjitha masat higjieno-sanitare sipas protokolleve që ka publikuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.
“Ne përdorim, kaska, maska, doreza dhe dezinfektantë gjatë gjithë periudhës që jemi në punë. Gjithashtu edhe pacientët që vijnë të marrin shërbimet tona përdorin të gjitha mjetet mbrojtëse të nevojshme që janë përcaktuar në këtë situatë pandemie”, shprehet ai.
Qeveria, në planin e saj financiar për të përballuar situatën, parashikoi mbështetje direkte për biznesin e vogël, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, përmes dhënies së një page minimale prej 26 mijë lekë (e ashtuquajtur paga e luftës), ndërsa biznesi i madh mund të përfitonte nga një fond garancie prej 100 milionë eurosh.
Ndërsa përmes paketës së zgjeruar iu ofrua ndihmë të punësuarve në bizneset e mëdha dhe të vogla, aktiviteti i të cilave u dëmtua nga masat shtrënguese kundër koronavirusit. Kishin të drejtën për të aplikuar për pagën prej 40 mijë lekësh, të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi katërmbëdhjetë milionë lekë, të mbyllura sipas urdhrave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave.
Përfituan edhe të punësuarit e subjekteve të lejuara për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të urdhrave të MSHMS, deri në datën 10 prill 2020. Po ashtu u miratua një tjetër garanci sovrane prej 15 miliardë lekësh, e cila shkon për kapital qarkullues e investime për bizneset në të gjitha fushat, për të akomoduar pas COVID-19 nevojat e tyre. Gjithashtu, qeveria dyfishoi pagesën për ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë.
Ndërkaq, qeveria është gati të vërë në lëvizje planin kombëtar “Shqipëria 2030”, për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit. /atsh