Ajo ka shumë role në kinematografi dhe në teatër, por një nga më të spikaturit është ai i Elsës te Pallati 176. E ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, aktorja Eva Alikaj ka treguar ndër të tjera edhe për rolin që e bëri shumë të famshme, sa batutat e atij filmi përdoren edhe sot në komunikimet mes njerëzve për të bërë batuta.
“Ta luash për 5 vjet, e sforcoja gjithmonë veten në shfaqjet e Pallati 176. Në fillim ka qenë shumë e këndshme, për mua ishte shumë e lodhshme, që të ishe aq e freskët, aq komike. Më dukej sikur lekët duhet t’i paguaja unë, aq shumë më pëlqente si profesion, merrja lekët dhe ia jepja mamit. Unë nuk e ndjej veten të harruar. Unë ika jo për të ndenjur, por ashtu erdhi puna, qëndrova për djalin”, tha Eva Alikaj.
Eva Alika ka dhënë mjaft shumë nga vetja për kinematografinë shqiptare ndër vite. Eva Alikaj lindi në Tiranë më 25 prill 1961. Kur ishte vetëm 21 vjeç, fitoi Kupën si Aktorja më e mirë e Festivalit V të Filmit Artistik Shqiptar, me filmin “Njeriu i mirë” (1982). Një vit më pas, u diplomua për aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe iu bashkua trupës së Teatrit Kombëtar.
Eva, në teatër ka një fillim shumë të mirë, me rolin e Xhulietës në tragjedinë “Romeo e Xhulieta” të Shekspirit. Vazhdon të luajë me sukses në filma, me rolin Linda tek “Shirat e vjeshtës” (1984), Etleva tek “Treni niset në shtatë pa pesë” (1988). Role të tjerë janë Ilona në “Botë e padukshme” (1987), Ana në “Jeta në duart e tjetrit” (1990), Evgjenia në “I paharruari” (1984), Drita në “Vendimi” (1984), Irena në “Hije që mbeten pas” (1985), Edlira në “Stolat në park” (1988). Ajo është bërë popullore për rolin komik të Elsës në komedinë “Pallati 176”