Ka disa ditë që në Lezhë vlon çështja “Kamara”, pas intervistës ekskluzive që lojtari nga Guinea dha për “Panorama Sport”, ku akuzonte presidentin e Besëlidhjes, Gjok Noka, se po e mban peng me një kontratë disavjeçare kundër vullnetit të tij. Po ashtu, Kamara fliste për jetën tejet të vështirë në Lezhë, me probleme urie dhe fjetje në korridorin e stadiumit të Lezhës.
Reagoi për gazetën një ditë më pas presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, duke hedhur poshtë gjithçka dhe duke theksuar se të huajt i ka trajtuar njësoj dhe si fëmijët e tij. Diçka që u përforcua edhe nga katër futbollistët serbë të skuadrës lezhjane. Tani vjen një tjetër deklaratë e Omar Turad Kamarasë, mesfushorit 21-vjeçar nga Guinea që thekson se nuk mund të jetë skllav në Shqipëri dhe se kërkon ndihmë që të marrë dokumentet për të shkuar në shtëpinë e tij.
JO SKLLAV – Duke folur sërish për “Panorama Sport”, mesfushori e vlerëson Shqipërinë si një vend mikpritës dhe të hapur, por jo për ta trajtuar atë si një skllav. “Është turp për një vend si Shqipëria që të përmendet për ngjarje të tilla si historia ime. Shqipëria është një vend me zemër të madhe, ku njerëzit kanë treguar se janë miqësorë dhe me traditë mikpritjeje. Shqipëria ka qenë gjithnjë e hapur për të huajt, duke i mirëpritur, por nuk ka qenë e hapur për t’i kthyer të huajt në skllevër.
Kam ardhur këtu në moshën 16- vjeçare dhe sot jam 21 vjeç, kam edhe pasaportë. Shqipëria është vendi im, që e dua me gjithë zemër. Unë nuk jam skllav, por kam ardhur me një qëllim të caktuar këtu. Nuk dua të flas shumë për këtë histori, thjesht dua të marr dokumentacionin tim dhe të filloj të luaj futboll. Kam një familje për të ushqyer, aq më shumë që kam nënën të sëmurë. Kam mbetur jetim që 15 vjeç, kur babai im u nda nga jeta. Ndaj, ju lutem, më ndihmoni të marr letrat e mia dhe të shkoj pranë familjes e të luaj atje futboll”, është shprehur Kamara për gazetën./ILIR CARA – PANORAMASPORT