Nga paketa e parë financiare e ndihmës, për bizneset me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, për qarkun e Elbasanit u mbështetën 2947 biznese, konkretisht 4490 punonjës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i shoqëruar nga deputetët e Qarkut të Elbasan dhe Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, zhvilluan takime me përfaqësues të bizneseve të ndryshme në Elbasan për t’u njohur me përfitimin e paketave ndihmëse financiare gjatë kohës së pandemisë.
Balla takoi përfaqësuesit e sektorit të transportit, të cilët ende nuk janë rikthyer në punë duke kërkuar prej tyre kujdes të shtuar sapo edhe ky sektor të nisë të funksionojë.
“Nëse ka nga ata që nuk kanë përfituar nga paketat mbështetëse duhet të përcjellin ankesat e tyre në mënyrë që Drejtoria e Tatimeve t’i ndjekë ato. Paketat mbështetëse kanë pasur qëllim mbrojtjen e bizneseve nga niveli i lartë i humbjeve dhe mbrojtjen e punonjësve për të mos humbur vendet e tyre të punës”, tha Balla.
Duke qenë një proces i ri, Balla tha se “nuk kanë munguar edhe gabimet në aplikim, ç’ka i ka penalizuar një pjesë të përfituesve”. Duke parë një situatë të tillë, është lënë një afat për shqyrtimin e ankesave dhe më pas kalimin e pagës së luftës. Nga trajtimi i ankesave janë miratuar konform ligjit kërkesat për 129 subjekte me 286 punonjës në qarkun e Elbasanit.
Duke zhvilluar takime në bizneset që tashmë kanë nisur aktivitetin e tyre, Balla kërkoi zbatim rigoroz të masave të sigurisë pasi virusi nuk ka ikur, dhe sipas ekspertëve, një valë e dytë infektimi është e mundur. Po ashtu, gjatë gjithë kësaj kohe, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Balla kërkoi mbështetjen e bizneseve nga vetë qytetarët duke konsumuar produkte të prodhuara në Shqipëri.
Gjithashtu, ai u kërkoi kamarierëve të reklamojnë produktet shqiptare dhe ringjallja e zinxhirit ekonomik të vendit do të jetë më e shpejtë. Sipas tij, “shtyrja e pagesës së kredive dhe po ashtu shtyrja e pagesave të detyrimeve mujore kanë qenë masa mbështetëse për të kapërcyer këtë periudhë të vështirë për bizneset”.
“Shtyrja e pagesës së detyrimeve mujore është ndihmë e madhe për periudhën që bizneset nuk kanë punuar. Dua të sqaroj dhe diçka për ata që bëjnë thirrje për mos pagesave të ujit e të dritave dhe më pas t’i kërkosh qeverisë t’u japë para, kjo është e pamundur. Sepse ne jemi një familje dhe nëse nuk hyjnë para në një familje, s’ka as çfarë del” u shpreh Balla.
Sipas Ballës, Shqipëria ishte ndër vendet e para që nisi të aplikojë paketat e ndihmës financiare për bizneset, por edhe për familjet në nevojë, pikërisht për t’u gjendur pranë në një situatë të vështirë globale./atsh